Red Bull-i i Gimit në gjyq
Beteja e pijeve energjike për zotërimin e tregut tashmë ka mbërritur në dyert e Gjykatës së Tiranës. Edhe pse tregu është i lirë dhe ku gjithkush mund të konkurrojë me produktin e tij, duket se frika nga rritja e ndjeshme e shitjeve të rivalëve për shkak edhe të çmimit më ekonomik, ka detyruar kompaninë e njohur të pijeve energjike “Red Bull GmbH” të kërkojë ndihmë në Gjykatë për ndalimin e një prej konkurrentëve të saj, pijen tjetër energjike “B 52″, e cila importohet nga kompania shqiptare “Arseni SHPK”.
Vetëm tre ditë më parë “Red Bull GmbH” ka depozituar një padi kundër “Arseni SHPK”, ku kërkon: “Të ndalohet importimi, shpërndarja dhe tregtimi i pijeve energjike nën shenjën “B 52″ me sfondin e kombinuar me ngjyrat blu – të argjendtë dhe mospërsëritjen e këtyre veprimeve në të ardhmen”. Më tej, në këtë padi, “Red Bull GmbH” komenton se shtija e këtij produkti cënon të drejtat e pronësisë intelektuale të markave me reputacion të saj si dhe përbën konkurrencë të pandershme. E thënë më ndryshe, “Red Bull GmbH” e argumenton padinë e saj mbi faktin se kjo kompani zotëron patentën për prodhimin e pijeve energjike dhe se askush tjetër nuk mund ta përdorë atë.
“Beteja”
Më shumë sesa një e drejtë e shkelur, padia e depozituar nga “Red Bull GmbH” mund të përkthehet si një tjetër manovër e kësaj kompanie për “të bërë ligjin” në tregun e pijeve energjike. Kjo gjë konfirmohet më së miri nga 3 paditë e mëparshme të depozituara në Gjykatën e Tiranës, kundër kompanive të ndryshme të prodhimit të pijeve energjike në vend. Më datë 25.03.2011, “Red Bull GmbH” ka paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave dhe kompaninë “Fresh shpk”, ku ka kërkuar të shpallet i pavlefshëm regjistrimi i markës “Turbo Energy Drink”, me logo demi, për shkak se është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material si dhe ka kërkuar që të mos regjistrohet kjo pije energjike. Nga ana e saj, Gjykata e Tiranës çmon se marka “Turbo Energy Drink” (figura e demit e vijëzuar me të kuqe) nuk është e ngjashme me markat e regjistruara në emrin e “Red Bull GmbH”. “Është e vërtetë se të gjitha këto marka kanë të përbashkët figurën e demit (Bull në gjuhën angleze), por ndërsa në markat e palës paditëse figura e demit është në pozicion sulmi, në atë të markës së palës së paditur është në pozicion statik. Gjithashtu figura e demit në markën e kundërshtuar është dukshëm më e vogël sesa fjala Turbo, e cila nuk ndodhet në markat e kundërshtuesit.
Po kështu në markën e kundërshtuar element dallues dhe shumë i dallueshëm, i cili nuk ndodhet në markat e palës paditëse është fjala “Turbo”. Pra të gjithë këto elementë bëjnë që Gjykata të çmojë se marka “Turbo Energy Drink”, nuk krijon konfuzion tek publiku i gjerë” – thuhet në vendimin e Gjykatës, e cila rrëzoi padinë e “Red Bull GmbH”. Vetëm pak muaj më vonë, sërish kompania “Red Bull GmbH” i është drejtuar sërish Gjykatës për një tjetër pije energjike, duke kërkuar që edhe ajo të ndryshojë emrin dhe të shpallet i pavlefshëm vendimi i Drejtorisë së Markave, por në këtë rast, ishte vetë kompania e paditur e cila u tërhoq nga emri i pijes. Nëse për kompanitë e tjera, “Red Bull GmbH” ka kërkuar vetëm ndryshimin e emrit ose të logos, në padinë e depozituar tre ditë më parë, ajo kërkon nga Gjykata e Tiranës që të ndalohet çdo shitje e pijes energjike “B 52″, pasi sipas saj, kjo pije ka shkelur rregullat dhe po bën konkurrencë të pandershme në treg.