Meta kërcen valle Tropoje për fitoren e Nishanit
Mazhoranca e ktheu në “dasmë” zgjedhjen e presidentit Bujar Nishani, për tri orë tek “Sofra e Ariut”. Gjithçka nisi në orën 20:40 si një formalitet, por me kalimin e orëve, u dëgjuan tingujt e muzikës, zërat e TOB dhe më pas, diku rreh orës 22:30, edhe kërcimi i valleve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë dhe këngët e kënduara nga deputeti i LSIsë, Vangjel Tavo. Valle çame, të cilat u shoqëruan nga kërcimi i pandërprerë i deputetit të PDIU-së, Dashamir Tahiri, apo edhe vallja tropojane, ritmet e së cilës gumëzhinë restorantin “Sofra e Ariut”. Në sfond muzika, ndërsa mes tavolinave 6-vendëshe, u ngritën për të kërcyer deputetët. Afro 30 prej tyre e “tundën” zgjedhjen e Bujar Nishanit në krye të shtetit, mes të cilave, deputetet femra Lajla Pernaska, Mesila Doda, Paulina Hoti, po jo kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila kishte zënë vend në tavolinën qendrore me Kryeministrin Berisha, Nishanin, Metën, Patozin dhe Haxhinaston. Të gjitha urimet drejtoheshin pikërisht tek protagonisti kryesor i mbrëmjes së gjatë të së martës, Bujar Nishani. Por të vetmit që nuk u ngritën për të kërcyer ishin drejtuesit e PDsë, ministrat dhe aleati Ilir Meta, i cili ishte pozicionuar përballë kryeministrit Berisha në tavolinën e përbashkët. Pjesëtarët e saj, përveç muhabetit të shtuar me njëritjetrin, shijuan edhe muzikën live të familjes artistike Qerimi, ndërkohë që shishet e verës zëvendësoheshin fill pas zbrazjes.
Një menu e pasur, e shoqëruar me verën shqiptare “Skënderbeu”. Më së shumti, deputetët kanë shijuar darkën, duke ndjekur vetëm pak minuta formalitet, fjalën përshëndetëse të kryeministrit Sali Berisha, – i cili ngriti një dolli për koalicionin, dhe më pas fjalën e presidentit të zgjedhur Bujar Nishani. Kryeministri falënderoi të gjithë deputetët që votuan kandidatin e shumicës, për kontributin e dhënë gjatë këtij procesi. “Mirënjohje për të gjithë punën tuaj gjatë zgjedhjes së Presidentit, të gjithëve juve pa përjashtim. Ishte një bashkëpunim i suksesshëm, që e bëri vendin me Presidentin e ri”, mësohet të jetë shprehur z.Berisha. Më pas, fjalën e ka marrë Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani. “Unë ju jam mirënjohës të gjithëve juve që më besuat në postin më të lartë të vendit. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi bashkëpunim të ngushtë së bashku. Ju do të jeni miqtë e mi edhe kur të jem gjatë presidencës”, – është shprehur Nishani. Më pas, kamerierët nisën të mbushin me radhë tavolinat, ndërkohë që me kalimin e kohës, deputetët shkëmbyen biseda brenda tavolinave, ku ishte ulur mes të tjerëve, edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bashkë me z.Bode dhe z.Olldashi. Në tavolinë u shërbyen disa pjata. Fillimisht, për deputetët dhe ministrat është shërbyer antipasta e “Sofrës së Ariut” dhe më pas, sipas preferencave, të ftuarit kanë zgjedhur mes rizotos dhe makaronave. Në tryezë ka dominuar mishi në vend të peshkut, i shoqëruar me verë të kuqe franceze. Rreth orës 22:30 është shërbyer edhe ëmbëlsira e darkës. Gjatë rreth tri orëve qëndrimi në restorant, krerët e mazhorancës, por edhe deputetët që votuan për Bujar Nishanin, kanë qenë nën ritmet e muzikës së lehtë në sfond. Në darkën e së martës mungonin vetëm dy aleatët e Berishës, kryerepublikani Fatmir Mediu dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Berisha anuloi vizitën e tij në Meksikë, para dy ditëve, ku do të merrte pjesë në një forum ekonomik, ndërkohë që në vend të tij nisi ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu. Për këtë arsye, Mediu mungonte në darkën e Nishanit, ndërkohë që kreu i PDIU-së, Idrizi, ndodhet në Vjenë për arsye familjare.